SHARE
ISSUES
Zgjedhjet lokale të 8 Majit në Shqipëri paraqesin një mundësi të mirë për të rritur numrin e grave në poste publike, në një vend që ka një nga përqindjet më të ulëta në Evropë të grave të zgjedhura. Ky ishte mesazhi nga Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, drejtuar grave që sapo kishin përfunduar një program 10 mujor trajnimesh të organizuar nga NDI mbi menaxhimin e fushatave, zhvillimin e mesazheve dhe advokimin.
Topalli u bëri thirrje të gjitha partive politike të përfshijnë më shumë gra në listat e tyre të kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme. Edhe Valentina Leskaj, deputete e opozitës nga Partia Socialiste, gjatë ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave për 30 pjesëmarrëset e programit “Zhvillimi i Lidershipit Politik të Grave”, program ky i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, bëri apel për më shumë gra në lista. Pjesëmarrëset e programit do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Majit si kandidate dhe si menaxhere të fushatave zgjedhore.
Në një kohë kur në vend mbizotërojnë ndasitë politike dhe polarizimi, ky grup shumëpartiak i grave jep shpresë për optimizëm, tha Sasha Pajevic, drejtoreshë e NDI në Shqipëri. “Përpjekjet e përbashkëta të liderëve të partive, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtarëve dhe shoqërisë civile do të çojnë në një rritje të konsiderueshme të numrit të grave të zgjedhura në postet publike, veçanërisht gjatë zgjedhjeve lokale të këtij viti,” tha ajo.
Si pjesë e programit, gratë kishin si detyrë të zhvillonin fushata advokimi në komunitetet e tyre. Një zonjë nga Erseka, një qytet i vogël në juglindje të Shqipërisë, zhvilloi një anketim në komunitetin e saj nga ku rezultoi se gratë ishin të shqetësuara për mungesën e mundësive ekonomike. Ajo ia doli mbanë me sukses të lobonte te kryetari i bashkisë duke i kërkuar këtij të fundit të siguronte një vend në tregun e qytetit ku gratë të mund të reklamonin dhe shisnin punimet e tyre të dorës. Gjithashtu ajo arriti të siguronte lehtësim nga detyrimet e taksave vendore për këto zonja.
Në fushatat e tjera të advokimit, gratë në kryeqytet organizuan një takim me prindërit, mësuesit dhe zyrtarët e tjerë lokalë për të diskutuar lidhur me përmirësimin e të ushqyerit të fëmijëve, ndërsa gratë në qytetin juglindor të vendit, në Korçë, bashkuan përpjekjet e tyre me ato të bashkisë për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me dhunën në familje dhe informimin e grave mbi mundësitë e rrugëdaljeve për viktimat e këtij fenomeni.
Gjatë një vizite studimore në Kosovë, pas përfundimit të programit, pjesëmarrëset u takuan me politikane të suksesshme dhe gra aktiviste. Gratë e të dyja vendeve ndanë me njëra tjetrën eksperiencat e tyre të lobimeve për një pjesëmarrje më të madhe të grave në politikë. Gjithashtu, gratë kosovare dhanë shembuj mjaft të mirë të bashkëpunimit ndërpartiak – një shembull i rëndësishëm ky për zonjat që po përballen me një ambient politik tepër të polarizuar si ai që mbizotëron në Shqipëri.
NDI po vazhdon punën për të bashkuar gra aktiviste nga i gjithë spektri politik, duke ofruar përkrahje të vazhdueshme për organizatën e saj partnere, Rrjetin e Grave “Barazi në Vendimmarrje”. Rrjeti i Grave, si një organizatë shumëpartiake dhe joqeveritare, synon të rrisë ndërgjegjësimin publik lidhur me nevojën për një pjesëmarrje më të madhe të grave në politike. Rrjeti gjithashtu përkrah projekte ekonomike, sociale dhe arsimore nga të cilat mund të përfitojnë gratë si në nivel lokal ashtu dhe në nivel kombëtar. Me mbështetjen e vazhdueshme të NDI, e mundësuar nga Ndihma Amerikane për Demokraci, rrjeti është duke u bërë një ithtar drejtues në përfaqësimin politik të grave në Shqipëri.